Lajme Arkiva 2004

Opozita do të mbështesë protestën e ish të përndjekurve politik që do të zhvillohet të hënën pasdite para parlamentit. Sot nga qyteti i Lezhës ku është zhvendosur edhe lëvizja “Nano ik”, kryetari i Partisë Demokristiane Nikollë Lesi ju ka bërë thirrje qytetarëve që dhunës së shtetit t’i përgjigjen me dhunë popullore.

Nikollë Lesi: Forcës i përgjimit me forcë, dhunës me dhunë popullore, prandaj ditën e hënë në orën 18:00, para Parlamentit dhe në Parlament për të realizuar atë që kërkojnë të përndjekurit politik, që kërkon populli, prandaj para drejt Tiranës!

Duhet të bashkohemi të gjithë tha kreu demokrat Berisha kundër njeriut më të zi se zia, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në çifligun e tij dhe të klaneve mafioze. Sipas tij Fatos Nano i do shqiptarët çdo ditë e më të varfër, se kështu mund ti shtyp më lehtë.

Le të ngrihemi, ju drejtua Berisha qytetarëve lezhjanë, kundër varfërisë dhe mjerimit, asnjë qeveri tjetër nuk i ka ndëshkuar kështu shqiptarët. Për herë të parë Berisha ka folur për ligjin që po përgatitet për legalizimin e banesave.

Sali Berisha: Me ligjin, me të ashtuquajturin ligj të legalizimeve ai synon ‘të ndërsejë ’ fqinjët kundër njëri-tjetrit, ai synon të dhunojë dhe të rrafshojë shtëpitë e shqiptarëve, ai synon të vendosë një gjobë shumë të rëndë mbi qytetarët e mjerë shqiptarë. Ftoj qytetarët shqiptarë edhe njëherë të qëndrojmë kundër tij në rast se duam të kemi të ardhme, të qëndrojmë kundër tij në rast se duam të integrohemi në Evropë.

Ju jeni ligjvënësit e këtij vendi, ju drejtua deputeti Preç Zogaj protestuesve dhe fuqia juaj do të rrëzojë Fatos Nanon.

Preç Zogaj: Edhe Lezhjanët kanë vendosur ta bashkojnë zërin e tyre me korin madhështor që buçet nga jugu në veri “Nano ik”.

Lëvizja “Nano ik” do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit ndërkohë që krerët e kësaj lëvizje do të bëjnë të njohura forma të reja të zhvillimit të saj./tvklan.al