Lajme Arkiva – TV Klan 2001

“Tirana jonë, shtëpia jonë” është slogani i lëvizjes ekologjike të Tiranës. Duke e krahasuar ambientin e brendshëm me qytetin, të rinjtë e Tiranës, mendojnë se kështu do të arrihet përmirësimi i ambientit. Kjo nisëm këtë vit është mbështetur nga gjimnazistë, të cilët e kanë cilësuar Prillin si muajin ekologjik.

Qendra është parë si pika nga duhet të pastrohet. Nga sheshi të rinjtë i kanë dërguar kryetarit të bashkisë një letër, ku paraqesin propozimet e tyre për të ndryshuar gjithçka në territoret e shkretuara. Për ta një ditë në javë duhet t’i kushtohet ekologjisë dhe shkollave të tyre t’u kthehen ambiente të gjelbëruara.

Manifestimi i gjimnazistëve nga bulevardi deri në qendrën Don Bosko,  ka përfshirë pastrimin e trotuareve dhe sistemimin e pemëve. Më pas kjo ditë feste, që përfundoi në qendrën Don Bosko, u përshëndet dhe nga zonja e parë Lidra Mejdani. Janë dhënë çmime për konkursin “Lulishtja më e mirë”, si dhe është hapur panairi i gjërave të përdorura. Nisma është mbështetur nga qendra sociale Don Bosko, drejtoria e përgjithshme e shkollave, Bashkia e Tiranës, ambasada italiane dhe është sponsorizuar nga SOROS-i./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti