Zbulimet e fundit arkeologjike në Lezhë hedhin dritë mbi një periudhë të errët të Lisusit antik, atë të kohës së mesjetës. Pas gërmimeve disamujore ekspedita shqiptaro-franceze ka arritur të figurojë një nga zonat e banuara jashtë mureve të kalasë, e cila shtrihet deri në kufijtë e qytetit të sotëm. Në një sipërfaqe prej 4 deri 5 Ha.
Banesat e zbuluara në këtë zonë janë të ndërtuara me gurë dhe me një sistem tarracash që arrijnë deri në dy kate.
Etleva Nallbani: “Këtu pas meje është një nga banesat mesjetare, të cilat tashmë janë zbuluar që organizohen në sistem tarracash dhe shtrohen në zonën jugore të qytetit do me thënë më poshtë kalasë, zonës së sipërme. Kapin të gjithë shtrirjen jugore të faqes së kodrës dhe arrijnë deri poshtë murit rrethues antik. Janë të organizuara me sistem kamaresh do me thënë kati i parë, ndërsa kati i dytë nuk e njohim akoma sepse nuk ruhet, do të bëhet me sistem rindërtimi. Janë të mbuluara me tjegulla dhe të ndërtuara me gurë të latuar, nga të cilët kemi nxjerrë dhe gurë të punuar, pra ka pasur një skulpturë dekorative.”
Në këto gërmime janë identifikuar dhe varrezat e kësaj zone së bashku me një kishë, e cila shtrihet që nga periudha e mesjetës e deri në atë otomane. Veçantia e jetës së Lisusit mesjetar ka qenë varrimi i njerëzve së bashku me objektet. Zbulimi i të cilave përbën një rëndësi të madhe arkeologjike dhe etnografike. Të cilat synohet të ekspozohen në një muze të ardhshëm të qytetit të Lezhës.
Arkeologët shprehin frikën se vlera të tjera mund të gjenden edhe në zona të brendshme të qytetit, ku vitet e fundit janë ngritur ndërtime pa kriter./tvklan.al
Gazetar: Gjergj Figuri