Sulmi në tregun e Krishtlindjes në Gjermani, i cili i mori jetën të paktën 2 personave dhe u plagosën mbi 60 të tjerë është dënuar nga një sërë liderësh botërorë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se ishte i tmerruar nga sulmi mizor në qytetin Magdeburg, i cili është në perëndim të Berlinit.
“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale të premten mbrëma.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dënoi “aktin brutal dhe frikacak” siç e cilësoi edhe ajo.
“Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë, falënderimet e mia për policinë dhe punonjësit e shpëtimit”, -shkroi politikania gjermane në rrjetet e saj sociale.
“Franca ndan dhimbjen e popullit gjerman dhe shpreh solidaritetin e saj të thellë”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në një deklaratë në platformën e mediave sociale “X”.
Kryeministri holandez Dick Schoof tha se Holanda qëndron krah për krah me fqinjët tanë gjermanë në këto kohë të errëta”, duke shtuar se autoritetet e vendit të tij po monitorojnë zhvillimet.
Për sulmin reagoi edhe Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite përmes një deklarate.
Siç është raportuar edhe nga mediat e huaja, autor i dyshuar për këtë ngjarje është një një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite. Një burim për agjencinë e lajmeve “Reuters” shkruan se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për autorin, i cili kishte shprehur pikëpamje ekstremiste në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Gazeta Der Spiegel shkruan se autori simpatizonte partinë e ekstremit të djathtë të Gjermanisë Alternativa për Gjermaninë, ndërsa motivet e tij janë ende të paqarta.
Miliarderi Elon Musk, aleat me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, kritikoi kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe i bëri thirrje të jepte dorëheqjen.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller u shpreh se SHBA është e tmerruar nga sulmi në Magdeburg.
Në fund të muajit të kaluar, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser këshilloi njerëzit të jenë vigjilentë në tregjet e Krishtlindjeve, të cilat kanë qenë një fokus i veçantë i shërbimeve të sigurisë pasi janë një objektiv i mundshëm për sulmet ekstremiste.
Klan News