Teksa ndodhet në samitin “Inteligjenca Artificiale” që mbahet në Paris, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u zotua për kundërmasa të forta dhe proporcionale në përgjigje të tarifave të fundit të Trump.

Von der Leyen tha në një deklaratë se ajo ndjente keqardhje të thellë për vendimin e SHBA, duke shtuar se tarifat ishin taksa të dëmshme për biznesin dhe më keq për konsumatorët.

“Tarifat e pajustifikuara ndaj BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje, ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale. BE do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj”, tha ajo.

Presidentja e KE-se nuk dha detaje, por një opsion do të ishte riaktivizimi i tarifave që BE vendosi në vitin 2018, të cilat u pezulluan sipas një armëpushimi të rënë dakord midis BE –së dhe ish-Presidentit të SHBA, Joe Biden.

Ndërkaq, nga Parisi, Presidentja e Komisionit Europian u shpreh se Evropa do të investojë 50 miliardë Euro shtesë për të mbështetur inteligjencën artificiale brenda bllokut.

“Ne synojmë të mobilizojmë një total prej 200 miliardë Eurosh për investime të inteligjencës artificiale në Evropë. Do të jetë partneriteti më i madh publik-privat në botë për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Por gjithashtu ka nevojë për bashkëpunim dhe ky është qëllimi të sigurojë një grup të vetëm rregullash të sigurta në të gjithë Bashkimin Evropian”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se sfida e inteligjencës artificiale është të zotërojë teknologjinë dhe ta vendosë atë “në shërbim të njerëzimit “.

“Në një botë që po tronditet nga shumë kriza, por nga një dialog i hapur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës, Evropës, kontinentit afrikan, kontinentit të Amerikës Latine, krerëve të shteteve, studiuesve, shoqërisë civile, sipërmarrësve dhe investitorëve është një mundësi për të kuptuar këtë rrugë dhe për ta vënë në shërbim këtë shkencë”.

Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance paralajmëroi evropianët se rregullimi i tepërt i inteligjencës artificiale mund të mbyste teknologjinë.

“Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të inkurajuar politikat pro-rritjes së AI. Ne duam të fillojmë revolucionin e AI, por për të krijuar besimin, kemi nevojë për regjime rregullatore ndërkombëtare që nxisin krijimin e teknologjisë së AI në vend që ta mbysin atë”.

Ligjvënësit evropianë miratuan vitin e kaluar Aktin e AI të bllokut, grupi i parë gjithëpërfshirës në botë i rregullave që rregullojnë teknologjinë.

Klan News