Kuvendi votoi sërish ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë gjatë sistemit komunist pas parregullsive të shfaqura gjatë votimit të kaluar. Pas bojkotimit të opozitës ky ligj mori 70 vota pro të shumicës parlamentare, ndërsa votuan kundër variantit të qeverisë socialiste Ndre Legisi dhe deputeti Ligoraq Karamelo nga Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.
Me votim të fshehtë kuvendi nuk dha pëlqimin për emërimin e Vitore Tushës si anëtare e Gjykatës Kushtetuse në vend të Zija Vucit. Për këtë çështje Partia Demokratike akuzoi socialistët për kundërvënie ndaj Presidentit të Republikës.
Edi Paloka: “Grupi i Partisë Socialiste kishte vendosur paraprakisht se do të votonte kundër këtij dekreti dhe sot u verifikuan dy fakte që dekreti i presidentit me shumicën e votave socialiste u hodh poshtë dhe fakti i dytë ishte se kjo shumicë praktikisht nuk përbën më shumicën ose mazhorancën në parlament.”
Duke e cilësuar votim politik, burime të presidencës deklarojnë se për këtë çështje do të kërkohet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi e drejta e kuvendit për të dhënë pëlqimin për emërimet e presidentit në Gjykatën Kushtetuse dhe Gjykatën e Lartë duhet të bazohet vetëm mbi dy kritere: karrierën profesionale dhe stazhin në profesion të gjyqtarëve të emëruar nga presidenti. Në rastin konkret zonja Tushe i plotësontë dy kriteret, sipas presidencës, gjë që është konfirmuar dhe në seancën plenare dhe nga relacioni i paraqitur nga komisioni i ligjeve dhe çështjeve kushtetuese në kuvend. Çdo motiv tjetër, përfshirë dhe motivet politike, nuk mund të hedhin poshtë dekretin e presidentit pa patur arsye ligjore.
Kuvendi miratoi ligjin për masat kundër financimit të terrorizmit si dhe dërgimin e një force ushtarake në Afganistan ndërsa shtyu sërish draftin për ruajtjen e biodiversitetit. Më pas kryetari Servet Pëllumbi në emër dhe të dy nënkryetareve Çeço dhe Topalli u tërhoqi vëmendjen deputetëve për veshje jo serioze për sallën e Kuvendit.
Servet Pëllumbi: “Pra lejohet me këmisha dhe me kollare, por më e dëshirueshme do të ishte me kostum dhe me kollare.” /tvklan.al