Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kompanitë e sigurimeve detyrohen të kryejnë transaksione financiare vetëm nëpërmjet bankave shqiptare. Një detyrim i tillë aplikohet për herë të parë për tregun e sigurimeve sipas ligjit të ri që po diskutohet në komisionet parlamentare. Ligji i ri parashikon sanksione në gjoba, deri dhe në heqje të licencës të kompanive të sigurimeve në rast të shkeljeve nga ana e drejtuesve.
Ligji i ri është hartuar me asistencë të Bankës Botërore dhe ka qenë një kusht i aksionerëve të rinj të INSIG-ut për privatizimin e kësaj kompanie. Ligji parashikon kompetenca në rritje të organit mbikëqyrës të sigurimeve, si dhe raportim dhe auditim të financave të kompanive të sigurimeve, madje ligji parashikon deri dhe kufizim të shpërndarjes së fitimeve të këtyre kompanive.
Projektligji i cili pritet të dërgohet për miratim në parlament, javën e ardhshme, parashikon gjithashtu deklarim të të ardhurave të investitorëve përpara licencimit. Aktualisht në treg ushtrojnë aktivitetin sigurues të jetës dhe jo jetës 5 kompani, ndërkohë që tre të tjera sapo janë licencuar dhe pritet të hyjnë në treg së shpejti./tvklan.al