Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuar pritet të rritet ndjeshëm.
Në komisionin e ligjeve është diskutuar drafti që i hap rrugën krijimit të një fondi special për këtë qëllim, që do të përshpejtojë gjithashtu procesin e kompensimit financiar. Propozimi mbërrin nga ministria e financave dhe ajo e drejtësisë.
Mihal Kopani: “Ky fond do të administrohet direkt nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave. Për këtë do të hapet një llogari me thesarin e shtetit, agjencia do të ketë vazhdimisht le të themi disponibilitetin e këtij fondi. Ligji tjetër buxhetor nuk është se fondet që janë të pa përdorura rikthehen përsëri në buxhetin e shtetit, pra kjo është risia që sjell ky ligj.”
Në këtë llogari do të kanalizohen të gjithë të ardhurat për kompensimin financiar të pronarëve jo vetëm fondet që mbërrijnë nga procesi i legalizimit apo privatizimet, por edhe ato nga donacionet.
Eduart Halimi: “Duke marrë të gjitha të ardhurat që do vijnë nga privatizimi i të gjitha pasurive shtetërore duke futur në këtë fond të gjitha paratë aty do të vijnë nga procesi i legalizimit dhe jo vetëm 9 milion euro të cilat janë deklaruar vetëm nga legalizimi i atyre parcelave ku është njohur pronari, por të gjithë fondin e legalizimeve. Marrja e këtyre fondeve nuk është se do bëhet me këste, por do të bëhet sipas modaliteteve që do përcaktohen nga agjencia e kthimit të pronave.”
Krijimi i këtij fondi special është një garanci që procesi i kompensimit do të vijojë me ritme të larta dhe të përmbyllet në një kohë të shkurtër.
Enkeled Alibeaj: “Kjo qeveri ka treguar që së paku në 4 herë ka bërë kompensime financiare mbi 30 biliard lekë, për subjektet e shpronësuara. Por ka qenë gjithmonë mundësi, ka qenë gjithmonë vullnet politik. Me këtë ligj tashmë kalohet nga mundësi, kalohet në një bindje, kalohet në një detyrim tashmë ligjor, buxhetor.”
Drafti ligjor i hap dritën jeshile kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara në një shkallë më të gjerë, madje edhe për sipërfaqe mbi 200 metra2. Përfundimi i kompensimit financiar do të pasohet nga kompensimi fizik./tvklan.alGazetare: Fjorald Zguro