Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi nisi nga puna për diskutimin e projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në mbledhjen, ku ishte e pranishme edhe opozita, Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi parashtroi vërejtjet e Partisë Demokratike, lidhur me draftin që mban firmën e OPDAT -it dhe EURALIUS -it.
Një nga çështjet që kanë ngritur ekspertët e opozitës është pikërisht roli i dy institucioneve, ai i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Sipas demokratëve, këto dy institucione duhet të kenë vetëm rol informues dhe jo hetues.
Opozita thotë se çështja e hetimit nga faza e parë deri në vendimmarrje duhet t’i përkasë organeve të reja të rivlerësimit.
Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe ILDKP -ja, sipas ekspertëve demokratë, janë dy institucione nën influencën politike.
Një tjetër çështje e ngritur nga opozita ka të bëjë edhe me afatin e rivlerësimit, ku sipas ndryshimeve kushtetutese të miratuara me konsensus në 21 Korrik, parashikohet që ky proces të jetë 5 – vjeçar.
Vërejtjet e opozitës do të shqyrtohen nga ekspertët ndërkombëtar dhe njëkohësisht ata pranë Partisë Socialiste, të cilët do të dorëzojnë opinionin e tyre me shkrim pranë Komisionit.
Tv Klan