Gjykata e Sarandës ka liruar kapitenin e anijes “Antonio”, e cila u fundos para disa ditësh pranë brigjeve të Ksamilit. Aristotel Boni do të hetohet në gjendje të lirë, si përgjegjës për mbytjen e anijes nga e cila arritën të shpëtonin të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi. Në qytetin e Sarandës kompanitë e sigurimit kanë deklaruar se kjo anije nuk ishte e siguruar, por prokuroria e këtij rrethi është duke verifikuar nëse mjeti lundrues është siguruar në Greqi.

Ende nuk dihet se si do të veprohet me personat, automjetet e të cilëve janë fundosur pas përplasjes së anijes në shkëmbinjtë e Ksamilit. Një nga pistat hetimore të kësaj ngjarjeje është edhe ajo e shkaktimit të këtij aksidenti nga vetë ekuipazhi për qëllime përfitimi nga kompania e sigurimit. /tvklan.al