Lista me 100 emra zyrtarësh, mjekësh, gjyqtarësh, prokurorësh e arsimtarësh e publikuar nga Kryeministri Rama si persona të denoncuar nga komentuesit në faqen e tij në Facebook se nuk u kishin dhënë shërbime apo u kishin kërkuar ryshfet, ka shkaktuar reagime të dy partive të opozitës.
Kryetari i demokratëve Lulzim Basha në një reagim në rrjetet sociale e quan “listë turpi”, ndërsa e akuzon Kryeministrin se me metoda komuniste të ngjashme me atë të Enver Hoxhës po akuzon, përlyen dhe turpëron publikisht njerëz duke vendosur se kush është fajtor apo jo dhe kush duhet dënuar ose jo.
Në listë, shkruan Basha, mungojnë jo rastësisht hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë, siç i quan ai disa nga ministrat e kabinetit Rama.
Në të njëjtën linjë është dhe kryetarja e partisë tjetër opozitare, LSI Monika Kryemadhi që e quan listë linçuese dhe false që sipas saj është pjesë e gjuetisë së shtrigave që Edi Rama ka nisur në administratë për njerëzit që ajo thotë se i ka vetë në punë.
Por në mesnatë Kryeministri reagoi duke sqaruar arsyet e publikimit të listës, në një postim të titulluar “PËR LULET MOS MË PREK”.
Rama sqaron se emrat e publikuar janë thjesht një renditje e gjithë personave të denoncuar nga vetë qytetarët, dhe nuk janë as listë e zezë thotë ai dhe as “listë shtrigash”.
Sipas kryeministrit përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni as qëndrim i tij dhe as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.
Ai i këshillon ata që reaguan kundër postimit të ruajnë energjitë, duke i paralajmëruar me shprehjen “nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma”! Kryeministri premton se Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale por do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër atyre qe i quan tepsixhinj, harbutë dhe parazitë që paguhen nga taksat e qytetarëve që abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij. TV KLAN