Procesin e zgjedhjeve në SHBA e ka ndjekur më nga afër gazetari Blendi Fevziu. Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Tv Klan nga New Yorku, Fevziu ka thënë se sipas të dhënave zyrtare, arsyeja kryesore e fitores së Trump ka qenë ekonomia.

Më tej, Fevziu ka deklaruar se këto kanë qenë zgjedhjet më të shtrenjta në historinë e SHBA, ku janë shpenzuar 14-15 miliardë Dollarë që kandidatët të zhvillonin fushatën.

Blendi Fevziu: Arsyet kryesore pse fitoi Donald Trump janë të njohura për amerikanët, por mesa duket janë të panjohura për jashtë Amerikën. Këto zgjedhje amerikane, sipas Blumbergut, janë zgjedhjet më të shtrenjta në historinë e Amerikës. Janë shpenzuar 14-15 miliardë Dollarë nga kandidatët për të zhvilluar fushatën. Arsyeja kryesore e fitores së Trumpit sipas të gjithë komentatorëve amerikanë ka qenë ekonomia si dhe fakti që Trumpi konsiderohet si njeri i fortë. Sipas të dhënave zyrtare, 40% e amerikanëve e kanë përcaktuar votën e tyre në bazë të zhvillimit ekonomik.

Fevziu nuk beson se fitorja e Trump do të ndryshojë shumë në lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë me SHBA.

Blendi Fevziu: Këtu është ende mister sepse nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë Trump lidhur me politikën e jashtme. Përsa i takon Shqipërisë, unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë zhvillim shumë të madh me përjashtim të faktit që Trump ka një njohje me Shqipërinë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime në shtyllat kryesore të politikës së jashtme në raport me Shqipërinë.

Fevziu u ndal dhe tek kursi që mund të mbajë Trump në raport me Kosovën.

Blendi Fevziu: Ajo që vë re në Kosovë, ka disa pikëpyetje për arsye të raporteve shumë të mira që Trump ka edhe me serbët, megjithatë mbetet për t’u parë. Ishte Trump ai që firmosi marrëveshjen Serbi-Kosovë në Shtëpinë e Bardhë dhe Trump ka qenë më mirëkuptues në raport me Gjykatën Speciale dhe me faktin që Hashim Thaçi dhe personat e tjerë atje janë praktikisht të pafajshëm. Këtu mund të ketë një ndryshim.

Ndërkohë, Fevziu ka thënë se sonte emisioni “Opinion” në Tv Klan do i dedikohet zgjedhjeve amerikane me një grup shqiptaro-amerikanësh dhe një grup gazetarësh shqiptarë që janë duke ndjekur zgjedhjet./tvklan.al