Gjatë vizitës së saj në Berlin, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga Stephan Meyer, Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun Gjerman nga Patrick Sensburg, Kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Evropian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë Qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin europian të Shqipërisë.
Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, sidomos me rezultatet e para të Vettingut, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftë kundër kriminalitetit, emigrimit të palishëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët evropian.
Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm më zyrtarët publik në Gjermani, por edhe me qytetarët e tjerë gjermanë për të kuptuar proceset e rendësishme që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, Fechner vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani duke theksuar se do t’ia përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave.
/tvklan.al