Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Tre persona janë plagosur rëndë nga përplasja e një lokomotive me një zetor, në të cilin udhëtonin katër persona. Ngjarja ka ndodhur sot në mesditë rreth orës 13:20 minuta, në vendin e quajtur Grut Fushë.
Katër shtetasit kanë qenë të hipur në kabinën e zetorit dhe kanë tentuar të kalojnë nga zona fushore drejt rrugës automobilistike, përmes një kalimi të improvizuar mbi hekurudhën e linjës Shkodër-Bajzë, por siç duket nuk e kanë vërejtur lokomotivën që vinte nga Shkodra në drejtim të Bajzës.
Me gjithë frenimin e bërë nga makinisti që drejtonte lokomotivën, përplasja ka qenë e pashmangshme. Lokomotiva ka goditur pjesën e prapme të zetorit, duke hedhur mënjan zetorin dhe nga ana tjetër karrocerinë që tërhiqte. Nga rrëzimi i zetorit kanë mbetur të plagosur rëndë Sh. B. 25 vjeç dhe H. U. 40 vjeç. Ndërkohë që është dëmtuar ndjeshëm edhe P. B. 26 vjeç. Ndërsa personi i katërt që udhëtonte në zetor ka marrë vetëm disa plagë të lehta.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhen nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor. Ndërkohë që forcat e rendit kanë bërë shoqërimin për në komisariatin e policisë së Shkodrës të makinistit të lokomotivës, një 40 vjeçar nga Shkodra./tvklan.al