Numri i viktimave nga zjarret katastrofike në Los Anxhelos është rritur në 11.

Ajo që ka mbetur pas janë vetëm rrënoja, shtëpi të shkrumbuara dhe mijëra njerëz të zhvendosur. Zonat e shkatërruara nga zjarret tashmë janë në shtetrrethim. Kjo masë do të jetë në fuqi në zonat Palisades dhe Eaton të Paqësorit. Nga ana tjetër autoritetet kanë paralajmëruar se kushdo që kryen grabitje do të arrestohet.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka bërë thirrje për një hetim të pavarur se si mungesa e ujit paralizoi përpjekjet e zjarrfikësve për të shuar flakët në Los Anxhelos. Në një letër drejtuar kreut të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos, Newsom i quajti raportet për mungesën e furnizimit me ujë “thellësisht shqetësuese”.  Ai gjithashtu i kërkoi Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka fajësuar guvernatorin për mungesën e ujit në mediat sociale, që të “mos politizojë” katastrofën dhe “të mos përhapë dezinformata”. 

Presidenti Joe Biden e ka cilësuar situatën në Los Anxhelos si një “skenë lufte” ndërsa paralajmëroi se numri i të vdekurve “ka gjasa” të rritet. Një parashikim për më shumë erëra të forta po shton frikën se flakët mund të përhapen më tej dhe një alarm i kuq është vendosur sërish në vend.

Nga ana tjetër zjarret kanë dëmtuar edhe ajrin në Los Anxhelos. Autoritetet u shpërndanë qytetarëve maska, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se do të ketë  ndikime afatgjata shëndetësore nga thithja e tymit.

Ndërsa zyrtarët qeveritarë nuk kanë dhënë ende një vlerësim financiar të shkatërrimit të shkaktuar nga zjarret në Los Anxhelos, raportet tregojnë se mund të jetë fatkeqësia natyrore më e kushtueshme ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Analistët nga firma e shërbimeve financiare JPMorgan kanë thënë se humbjet nga zjarret do të kalojnë shifrën e dhjetëra miliarda dollarëve.

Klan News