Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lëvizja Popullore e Kosovës ia ka dorëzuar kryeparlamentarit Daci një propozim amendament katër pikësh, për formimin e Unionit Shqipëri-Kosovë. LPK në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me një deputet. Në propozim-amendamentin e saj, kjo parti kërkon nga Kuvendi i Kosovës, që në mënyrë demokratike të marrë vendim për formimin e këtij unioni.

Po ashtu në këtë propozim-amendament kërkohet nga Kuvendi i Shqipërisë, që sa më shpejt të deklarohet për bashkim me Kosovën në një union të përbashkët.

Hasan Meta:- “Normalisht, që në fillim duhet të dihet deri në fund fakti i rezolutës së Pavarësisë së Kosovës, pastaj do të procedohet me nismën tonë”.

Në pikën e tretë të propozim-amendamentit LPK parasheh që në hartimin e kartës kushtetuese të Unionit Shqipëri-Kosovë, të marrin pjesë ekspertët e së drejtës nga Shqipëria dhe Kosova. Propozim-amendamenti lë mundësinë e hapur që Kosova dhe Shqipëria të pajtohen për një afat të pacaktuar të pranisë së NATO-s si akt i vullnetit të mirë. Ky propozim-amendament deri tani është përkrahur nga 7 deputetë, të cilët kanë hedhur nënshkrimin e tyre në të.

Më herët AAK ia ka prezantuar Kuvendit të Kosovës projektrezolutën për shpalljen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, megjithatë deri tani nuk është futur në rend të ditës, pavarësisht numrit të mjaftueshëm të deputetëve përkrahës të saj./tvklan.al