Në mbledhjen e Komiteti Drejtues Kombëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetari i saj Ilir Meta, ka sulmuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, duke e akuzuar për prishjen e koalicionit të majtë dhe duke i dhënë formë më të qartë pozicionimit të LSI për të dalë e vetme në zgjedhjet e vitit 2009.
Ilir Meta: “Po me një pafytyrësi bajate e në mënyrë qesharake. Kryetari i PS, duke u përpjekur të fshihet pas fustanit të Mimit, përdor të njëjtën retorikë armiqësore ndaj LSI-së, si në 2005, vetëm e vetëm pse LSI ka deklaruar se përderisa një forcë politike si PS-ja prish koalicionin, prish marrëveshjen. LSI do të konkurrojë jo vetëm përballë Sali Berishës në radhë të parë, por dhe kujtdo tjetër përmes këtij koalicioni të ri sikurse është “E majta për Integrim”.
Por krahas prishjes së koalicionit të majtë, Ilir Meta e ka akuzuar Edi Ramën, se politikat e tij për reformimin e PS më shumë po degradojnë këtë pjesë të së majtës.
Ilir Meta: “Konkurrenca mbetet i vetmi katalizator i reformimit e në veçanti asaj pjese të së majtës që në vend që të reformojë po degradon akoma më tej”.
Nuk kanë munguar në këtë mbledhje që përkon me 4 vjetorin e themelimit të LSI-së, as akuzat direkte ndaj lidershipit socialist se ai ka punuar edhe më parë kundër të majtës. Meta i ka kujtuar gjithashtu ish-aleatit Rama përkrahjen e tij në momentet kyçe.
Ilir Meta: “Në 2005-ën të gjithë socialistët e dinë mirë se doli dhe hapur kundër PS, për të bërë thirrje që të mos votohej për kandidatin për deputet të PS që ishte zoti Agron Dibra, por të votojë për një kandidat të një partie tjetër që ishte miku i tij Dash Peza i cili sot figuron në komitetin drejtues apo në Asamblen e PS dhe nxorën Edi Ramën 2 javë para datës së zgjedhjeve të vitit 2007, nga vrima ku ishte strukur pas fotove nudo që publikoj Berisha në mënyrë të dënueshme dhe të pa cipë dhe e la në zemër dhe kurajo që ta vazhdonte garën”.
Në mbledhjen e radhës së komitetit drejtues kombëtarë, Ilir Meta e ka shprehur bindjen se koalicioni e majta për integrim do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e viti të ardhshëm./tvklan.al
Operator: Enver Shehu
Montazh: Renis Zela