Lëvizja Socialiste për Integrim vijon t’i mbetet qëndrimit për një korrektim kombëtar të votës, duke përjashtuar koalicionet e përbëra.
Kushtet adresuar Partisë Socialiste i ka ripërsëritur kreu Ilir Meta në një konferencë për shtyp.
Ilir Meta: “Ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin me të gjitha forcat politike dhe padyshim edhe me Partinë Socialiste lidhur me shqetësimin për të mos lejuar që asnjë votë opozitare ndaj Sali Berishës të mos shkojë dëm ka vetëm një alternativë që është korrektimi kombëtar i votës së shqiptarëve”.
Thelbi i daljes përpara medias të kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhej me ligjin e ri për prokurorinë. Meta akuzoi mazhorancën për tentativë për uzurpim të institucioneve të pavarura.
Ilir Meta: “Përpjekjet për të ndryshuar statusin kushtetues të prokurorëve, heqja e imunitetit të tyre, heqja e të drejtave të përfaqësuesit të presidentit në këshillin e prokurorisë dhe marrja e tyre nga ana e qeverisë janë një agresion i rëndë për kapjen që kjo qeveri do t’i bëjë institucioneve të pavarura prandaj unë i ftoj të gjithë forcat e opozitës për një qëndrim të përbashkët për të përdorur të gjitha mjetet parlamentare e ligjore në mbrojtje të pavarësisë së sistemit gjyqësor që ai të mos uzurpohet nga revanshizmi i Sali Berishës”.
Sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore janë sfidë e të gjithë klasës politike të vendit dhe si të tilla nuk mund të realizohen si monopol i një force politike dhe në mungesë të theksuar të transparencës./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi