Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të qeverisë Dalipi. Sipas zëdhënësit politik Vasili, komenti i një dite më parë flet për mosfunksionim të organeve të Partisë Socialiste.
Petrit Vasili: “Çuditërisht unë jam i shtrënguar t’i përgjigjem zëdhënësit të qeverisë, ndonëse prisja që t’i përgjigjesha zëdhënësit, apo një nga përfaqësuesit e PS, po nejse, jemi në një moment që gjërat kështu po funksionojnë në PS. Një provë e një inkoherence politike të dukshme të PS, e cila lëviz në kufij shumë të gjerë të arsyetimit të saj, që nga pika e ujit në oqean, në dëshirën e madhe për të mos t’u ndarë për të qenë atje së bashku deri tek sofizma të tilla sikurse lufta informale po u bëka që LSI të krijohet”.
Partia Socialiste nuk do të negociojë me drejtuesit e LSI. Megjithatë sekretari për marrëdhëniet me publikun Bardhyl Agasi, pranon se në fillim të shtatorit KPD do të mblidhet për të diskutuar zhvillimeve të fundit politike dhe në veçanti ndarjen e PS.
Bardhyl Agasi: “Partia Socialiste është një parti gjithmonë në lëvizje dinamike gjë që e ka treguar gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së saj dhe desha të theksoj gjithashtu që kjo parti i ka të gjitha hapësirat dhe të gjitha garancitë për të shprehur dhe zhvilluar mendime dhe ide të reja dhe alternativa të reja”.
Përsa i takon protestave të lajmëruara nga PD, Agasi u shpreh, se në shtator socialistët do të gjejnë gjuhën e kompromisit me opozitën për postin e kreut të KLSH./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj