LSI shpalli platformën e saj për sektorin e bujqësisë në një takim ku merrnin pjesë dhe ekspert të fushës dhe të ftuar. Gjatë fjalës së tij kryetari i LSI-së Ilir Meta e cilësoi sektorin e bujqësisë si më të diskriminuarin.

Meta foli për drejtimet kryesore të programit qeverisës të partisë që ai drejton, për ta nxjerrë sipas tij bujqësinë nga kolapsi.

Ilir Meta: “Nuk mund të ketë zgjerim të ekonomisë fermere pa zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme çështjen e pronësisë mbi tokë. Krijimi dhe zhvillimi i tregut të tokës për ne është abc-ja e zhvillimit të bujqësisë. Ne do të konsolidojmë pronësi mbi tokën dhe do të zgjerojmë tregun e saj. Toka në të shumtën e rasteve, sot e braktisur dhe e papërdorshme, do të kthehet në një mjet pune përmes investimeve në sistemin e ujitjes dhe të kullimit në mënyrë të veçantë.”

Çështje tjetër me rëndësi sipas Metës mbetet zhvillimi agroindustrial si dhe nxitja e prodhimit vendas. Një paraqitje me të detajuar të strategjisë për zhvillimin e bujqësisë u paraqit edhe nga sekretari i LSI-së për bujqësinë dhe mjedisin profesor Edmond Panariti./tvklan.al