Lajme Arkiva 2003

Ministri i Rendit Luan Rama dhe ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë James Jeffrey kanë vlerësuar në një ceremoni zyrtare rezultatet e operacioneve të fundit antidrogë në Shqipëri.

Luan Rama: Sasia e heroinës së sekuestruar gjatë këtij 6 mujori është pothuaj e barabartë me atë që është sekuestruar gjatë gjithë vitit të kaluar. Ndërkohë sasia e kësaj droge që sekuestrohet në brigjet italiane është 10 herë më pak nga ajo që është sekuestruar vitin e kaluar.

Disa operacione të realizuara javët e fundit në Durrës, Shkodër dhe Vlorë janë kryer në mbikëqyrjen e strukturave të huaja policore në vend. Ambasadori amerikan Jeffrey ka vlerësuar për profesionalizimin dhe besueshmërinë e strukturave të Ministrisë së Rendit për mos dekonspirimin e informacionit dhe kapjen e disa trafikantëve të drogës.

James Jeffrey: Suksesi i policisë për hetimin dhe kapjen e kriminelëve në këto raste është vetëm fillimi. Tani është momenti për ti dënuar këta persona dhe do të donim që puna e strukturave  policore të pasohej nga rezultate edhe në punën e prokurorisë dhe sistemit gjyqësor.

Më pas janë shpërndarë certifikata vlerësuese për disa nga oficerët policor të përfshirë në këto operacione. Në lidhje me luftën kundër drogës është mbledhur nën drejtimin e kryeministrit Nano edhe Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të punës kundër trafiqeve të lëndëve narkotike./tvklan.al