Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një grup kontrolli, drejtuar nga ish-prokurori Thoma Jano, aktualisht zv/ministër i rendit, po heton mbi përgjegjësitë e punonjësve të policisë, për trafikimin e personave nga Aeroporti i Rinasit. Dy ditë më parë, gjykata liroi nga paraburgimi, kryekontrollorin e aeroportit Dorian Muço, kontrollorin Eqerem Disha, si dhe dy sekserët e klandestinëve.

Masa e sigurisë është detyrim paraqitje, si dhe menjëherë, pas vendosjes së saj, kryekontrollori u rikthye në detyrë. Megjithatë, Ministri i Rendit Luan Rama siguroi, se hetimet për këtë çështje po vazhdojnë. Gjithnjë dukë qenë në detyrë, po hetohet edhe shefi i komisariatit të Rinasit.

Luan Rama:- “Kam parë të citohet, që njëri nga policët e arrestuar ka thënë, që më ka urdhëruar shefi i komisariatit, po hetohet kjo pistë, që nuk e shfajëson atë që ka zbatuar një porosi të paligjshme, ashtu si kundër është një mundësi, për të penalizuar edhe shefin e komisariatit dhe cilindo tjetër mbi të”.

Arrestimet në aeroportin e Rinasit, u kryen pasi shoqëria jugosllave JAT, informoi policinë tonë, se 6 shtetas shqiptarë kishin mbërritur në aeroportin e kryeqytetit të Serbisë Beograd, me dokumente të falsifikuara. Kalimi i tyre ishte lejuar sipas hetimeve të para nga dy punonjësit e aeroportit. Ndërsa u arrestuan si sekserë të klandestinëve Jak Fierza, Adriana Duka dhe Afrim Bushi nga Burreli. Vetëm ky i fundit qëndroi në qeli, me masën e sigurisë burg pa afat./tvklan.al