Peticioni i hartuar nga deputetët grevistë ka gjetur mbështetje edhe nga intelektualë shqiptarë.
Deri më tani ai është firmosur nga një numër i konsiderueshëm. Disa prej tyre shpjegojnë edhe shkaqet e këtij pozicionimi.
Fatos Lubonja: “Arsyeja përse e kam mbështetur është se shikoj një rrezik në rritje të monopolizimit të politikës nga dy partitë PD-PS që nënkupton dhe ngushtim hapësirash të lirisë, ngushtim hapësirash për të vërtetën. Midis partive ne kemi nevojë për institucione të tjera të pavarura që do të kontrollojnë partitë dhe mendoj se dhe kontrolli i votës së lirë nuk duhet lënë në dorën e partisë së militantëve që mendohet si të aftë për të vjedhur votën, por në institucione të pavarura nga këto parti edhe heshtja është shenjë e arrogancës me të cilën kanë bërë këtë ligj, pra mospërfillja e opinionit publik dhe tregues i një rreziku që ato paraqesin ashtu sikurse e kanë treguar dhe më parë kur nuk kanë bërë aspak dialog kur kanë ndryshuar kodin zgjedhor”.
Kujtim Çashku: “Mendoj që duhet të priret gjithmonë më shumë nga filozofia e përfshirjes sesa e përjashtimit. Mendoj në të njëjtën kohë që duhet të gjenden zgjidhje, gjithmonë formula politike që ofrojnë zgjidhje sesa format represive dhe nga ana tjetër ajo çka është më e rëndësishme në vend të kulturës së dialogut që duhet të zërë vendin kryesor të mos zhvillohet kultura e përjashtimit. Kështu që këto janë faktorë shumë të rëndësishëm që tregojnë një prapambetje të klasës politike shqiptare dhe nuk japin shenja të emancipimit të saj dhe pse domethënë si një demokraci e brishtë që jemi, dmth, nuk po faktojmë një pjekuri në gjithë mënyrën se si e konceptojmë politikën.”
Peticioni drejtuar kreut të shtetit, atij të qeverisë, liderit të opozitës dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë parashtron dy skenare për t’i dhënë zgjidhje grevës dhe kundërshtive të partive mbështetëse të grevës për kodin zgjedhor./tvklan.al