Historia e humbjes së hallës në moshën 29-vjeçare nga kanceri dhe më pas vetë sëmundja e saj vitin e shkuar, i ka mësuar Luna Methasanit rëndësinë esenciale të shëndetit. Vajza e madhe e gazetarit Dëfrim Methasani u përball gjatë vitit të shkuar me kancerin, një luftë që tashmë e ka fituar.
Gjatë rrëfimit të saj për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Luna e kujton mirë momentin e vështirë të diagnostikimit. Mjekët ia bënë me dije fare thatë se gjendja ishte kritike, por për të ishte edhe më e vështirë që t’u jepte kurajë prindërve.
Luna Methasani: Siç e përmenda, prindërit dhe gjyshërit e kanë humbur një vajzë në moshën 29 vjeçe e unë isha pikërisht 29 kur u diagnostikova. Kur kam pyetur mjekun, më ka thënë që “nuk është gjenetike dhe pak rëndësi ka nëse është gjenetike apo jo, ky ishte fati yt”.
Ardit Gjebrea: Ta treguan mjekët?
Luna Methasani: Po, ma treguan dhe isha përballë mjekut, në dhomë me të, me të dy prindërit dhe ma tha direkt në fytyrë: “Më vjen shumë keq, por ti je diagnostikuar me kancer. Duhet urgjent të fillojmë kimioterapinë, por para kësaj duhet të bëjmë një operacion”. Më shumë sesa vetja Ardit, më beso, më dhimbseshin prindërit e mi, më dhimbseshin gjyshërit dhe unë nuk kisha kurrsesi zgjidhje tjetër përveçse të vazhdoja të isha shumë e fortë sepse pse jo, mund t’ia dilja dhe siç e shihni jam këtu, ia dola.
Luna shton se kjo sëmundje lidhet fort me anën psikologjike të njeriut. Mjekët nuk garantojnë kurrë për shanset e mbijetesës, pasi forca psikologjike dhe vendosmëria luajnë një rol thelbësor në luftën ndaj saj.
Luna Methasani: Njeriu bëhet i fortë.
Ardit Gjebrea: Ku e gjen?
Luna Methasani: Brenda vetes. Ndala për një çast dhe mendova “çfarë zgjidhjeje kam unë tani?” Në momentin që na tha mjeku, mamaja ime lëvizi nga dhoma e mjekut duke qarë. M’u dhimbs në shpirt. Babi nuk mund të fliste nga lotët, nuk mund të reagonte, po qante me ngashërim. Besoj që momenti më i vështirë ai kur u kam fshirë lotët dhe u kam dhënë kurajë kur unë sapo e kisha marrë vesh, nuk kishte kaluar as një minutë nga momenti që unë e kisha marrë vesh që isha sëmurë dhe u thashë “ju mos u mërzisni, keni lindur një luftëtare të fortë dhe unë do t’ia dal. Ka plot raste që ia kanë dalë”. Prandaj doja që të jepja një mesazh force për të gjithë ata që ndoshta përballen apo larg qoftë mund të jenë në një situatë të tillë, ka gjithmonë dritë në fund të tunelit, ka gjithmonë shpresë sepse njeriu është shumë i fortë.
Ardit Gjebrea: Dua të vij të të përqafoj!
Gjebrea niset me vrap drejt Lunës për ta përqafuar. Pas këtij momenti emocionues, ajo ndan edhe episodin e rënies së flokëve nga kimioterapia që fatmirësisht tashmë gjithçka ka kaluar dhe flokët po rikthehen.
Luna Methasani: Edhe për ta përfunduar, momenti shumë i vështirë psikologjik ishte kur të binin flokët. Aty pashë në pasqyrë një Luna që nuk e njihja, por i thashë vetes “ej Luna, ti je një version tjetër i imi me të cilin unë duhet të mësohem dhe që do të jesh forca ime për të vazhduar përpara”./tvklan.al