Lulzim Basha: “Shqipëria ka të njëjtin numër detyrash dhe afërsisht të njëjtën kategori detyrash si vendet e tjera të rajonit. Sigurisht që Shqipëria është më mbrapa se një apo dy vende të tjera në prodhimin e pasaportave biometrike, por nga ana tjetër çdokush e di se Shqipëria duke filluar nga fillimi i vitit që vjen do të lëshojë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, pra kjo është një detyrë e cila do të plotësohet shumë shpejt. Po kështu procesi i përfundimit i programeve për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve drejt përmbylljes me sukses. Një kusht po ashtu shumë i rëndësishëm teknik. Në aspektin politik atë që ka theksuar dhe progres-raporti i Bashkimit Evropian vlerësimin për reformat e ndërmarra, sigurisht dhe nevojën për të konsoliduar dhe vazhduar në këtë rrugë ndahet po kështu dhe nga raporti, ky vlerësim ndahet dhe nga raporti për liberalizimin e vizave dhe është një plus i madh për Shqipërinë. Në analizë të fundit do të thoja që Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, me shpejtësinë e duhur dhe se ne mbetemi optimistë se viti 2009 është një vit vendimtar për liberalizimin e vizave për të gjithë rajonin tonë dhe për Shqipërinë. Vendet e Ballkanit Perëndimor të Evropës Juglindore në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti do të arrijmë progresin më domethënës në përmbushjen e kushteve teknike dhe në konsolidimin e kritereve politike. Kjo është ajo që vendet tona kanë në dorë. Pjesa tjetër varet nga Bashkimi Evropian”./tvklan.al