Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me banorë të fshatrave Tregan dhe Shirgjan të Elbasanit.

Në këto takime shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se gjatë këtyre viteve të qeverisjes së mazhorancës së djathtë asnjë zonë e Shqipërisë nuk u diskriminua me investime, qofshin drejtues të tyre socialistë a demokratë.

Në qendër të politikave të kësaj mazhorance, tha Basha, ka qenë, mbetet dhe do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë pa dallim.

Shqipëria, tha ai, është ndryshe. Ajo është kthyer në një vend të preferuar për investime të huaja.

Sot renditet mes 28 vendeve më të fuqishme të botës në Aleancën e Atlantikut të Veriut e nesër qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirisht nëpër Evropë.

Të gjitha këto, tha Basha, u mundësuan falë një vullneti të fortë të kësaj mazhorance.

Lulzim Basha: “Kukuvajkat thonë që s’do të thotë shumë. Do të thotë në radhë të parë se ky komunitet vendesh, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i beson Shqipërisë, i beson shqiptarëve, i beson qeverisë shqiptare si një partnere e denjë që ndan me të vlerat dhe parimet themelore të NATO-s. Të jesh sot anëtar i NATO-s do të thotë të jesh në paradhomën e Bashkimit Evropian. Qytetarët shqiptarë brenda një kohe shumë të shkurtër të bëhen gati me pasaportat e tyre të reja biometrike të udhëtojnë pa viza drejt çdo vendi të zonës Shengen dhe të Bashkimit Evropian që ata zgjedhin.”

Sot, tha Basha, kërkojmë një mandat të dytë për të vijuar më tej me zhvillimin e integrimit të vendit.

Shefi i diplomacisë shqiptare shprehu bindjen se qytetarët me votën e tyre më 28 Qershor do të dinë të ndajnë premtimet e bëra realitet nga ato që do të mbeten nëpër enciklikat e PS-së dhe të kryetarit të saj, i cili për 10 vjet që është në pushtet nuk arriti të përmirësojë as infrastrukturën e një qyteti.

Lulzim Basha: “Jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria sot është në NATO. Jo të gjithë janë të lumtur që rruga Durrës-Kukës po mbaron, sepse në krahasimin e kësaj performance me performancën e tyre të dështuar 10-vjeçare ata shohin dështimin e tyre më 28 Qershor. Po a mundet dështimi i kukuvajkave të vetmuara të përbëjë shqetësim apo pengesë për vrullin që ne tashmë kemi nisur drejt realizimit të aspiratës sonë evropiane.”

Ministri i Punëve të Jashtme tha se përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, punësimi dhe rritja e pensioneve do të jenë në qendër të politikave të kësaj mazhorance edhe në katër vitet që do të vijnë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle