Reshjet e rëna përgjatë natës kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumit Vjosa, dalja nga shtrati e të cilit ka përmbytur qindra hektarë tokë e dhjetëra shtëpi banimi në disa komuna të Fierit e Vlorës.

Të paralajmëruar për këtë situatë, banorët përgjatë bregut të lumit  kanë nxjerrë nga shtëpitë e tyre orenditë dhe kanë larguar bagëtitë.

Qytetari 1: “Në orën 12 të natës që e pashë ngrita familjet e tjera dhe i lajmërova unë.”

Qytetari 2: “Jo i kemi tërhequr, i kemi tërhequr nga vendi që kishim.”

Gjatë paradites vërshimi i pakontrolluar i ujërave mbajti të izoluara 3 familje  në komunën Novoselë dhe 4 në fshatin Fitore.

Bëhet fjalë për ndërtesa informale që kanë pësuar të njëjtin fat edhe në përmbytjet e viti 2005, por që sipas kreut të Emergjencave Civile, Alfred Olli do të dëmshpërblehen sipas pas verifikimeve që do të bëjnë grupet e punës.

Alfred Olli: “Ato shtëpi të cilat janë prekur momentalisht do të verifikohen nga komisionet përkatëse dhe do të dëmshpërblehen në atë masë që përcaktojnë ligjet e shtetit shqiptar.”

Të njëjtën garanci ka dhënë dhe zëvendës ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, i cili ka ndjekur nga afër situatën.

Ferdinand Poni: “Shtabet e emergjencave kanë qenë të mbledhur non stop qëkur kanë konstatuar rrezikshmërinë dje në mëngjes dhe edhe gjatë gjithë natës. Më duhet të them që si në Vlorë ashtu edhe në Fier funksionojnë 4 hidrovorë, me kapacitete evakuimi i ujërave ose transportimi drejt deteve mbi 15 m3 në sekondë.” 

Gjate orëve të pasdites situata ka ardhur në përmirësim me një ulje të ndjeshme të nivelit të ujërave./tvklan.al