Shtatë emigrantë nga vendet e Lindjes ishin nisur në kërkim të një jete më të mirë në Europë, por fatkeqësisht mëngjesin e kësaj të marte gjetën vdekjen në një aksident tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në jug të Shqipërisë.

Bashkë me ta humbi jetën edhe drejtuesi i automjetit, një 24-vjeçar nga Shkodra, i identifikuar si Edison Bregaj, i cili kishte marrë përsipër transportin e tyre në mënyrë të paligjshme.

Dyshohet se ai i kishte marrë ata afër kufirit me Greqinë, pranë pikës doganore Tre Urat në Përmet, por rreth orës 2:00 pas mesnate, në afërsi të Këlcyrës makina me të cilën udhëtonin është pikasur nga patrullë policie. Blutë i kanë bërë shenjë të ndalonte, por shoferi nuk është bindur duke u kthyer sërish drejt Përmetit.

“Patrulla e policisë që ishte me shërbim për kontrollin e territorit si dhe aksin Përmet-Këlcyrë me automjetin e vet është përpjekur që të marrë kontroll vizual mbi automjetin, të cilin e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes”, tha drejtori i Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa.

Policia ka vijuar kontrollet dhe rreth orës 4:00 të mëngjesit ka mundur ta gjejë automjetin të shkatërruar plotësisht në afërsi të fshatit Kuqar, buzë lumit Vjosa.

Siç shihet edhe nga pamjet, për shkak të përplasjes së fortë makina është shkatërruar plotësisht duke u shndërruar në një grumbull hekurash, çka nuk ka lënë asnjë mundësi për të mbijetuar.

Shkak për daljen nga rruga dyshohet se është bërë shpejtësia tepër e lartë.

“Mjeti është kthyer përsëri në drejtim të qytetit të Përmetit, me shumë shpejtësi siç duket ka dalë nga kontrolli dhe ka përfunduar në këtë pjesë që shikoni”, tha prokurori i çështjes.

Mësohet se makina ishte marrë me qira në qytetin e Shkodrës dhe do të përdorej për transportimin e klandestinëve.

Tv Klan