Lajme Arkiva -TV Klan 2004
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Lutz Salzman, i ka bërë apel liderëve politikë shqiptarë, të distancohen nga pronarët ekonomik, të paligjshëm dhe të nisin denoncimin dhe arrestimin e kriminelëve.
Zoti Salzman e ka bërë këtë deklaratë gjatë prezantimit të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Me tone tepër kritike, Bashkimi Europian konstaton, se vendi ynë gjatë 12 muajve të fundit ka pasur një progres të kufizuar.
Qeveria tha Salzman, duhet të tregojë vendosmëri dhe gatishmëri totale për të përmbushur reformat. Ne kemi ecur shpejt me negociatat, ndërsa procesi i reformave ka mbetur pas. Sipas raportit të KE, në gjysmën e dytë të vitit 2003, qeveria nuk i kushtoi vëmendje çështjeve kryesore, pas konflikteve të brendshme dhe garës për kongresin e PS. U hoq dorë nga bashkëpunimi me opozitën dhe stili politik ka qenë konfliktues. Sipas ambasadorit Salzman, të gjitha këto nuk ndihmojnë procesin.
Raporti nënvizon si progresive mbylljen e marrëveshjes së ripranimit, qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe në çështjet ndërkombëtare, mbajtjen nën kontroll të inflacionit, ndërkohë që thekson si problematike papunësinë në vend, mbledhjen e taksave dhe deficitin tregtar.
Ambasadori Salzman ka renditur dhe disa rekomandime që duhet të plotësojë Shqipëria në muajt në vazhdim, si përmirësimin e rregullave në komisionet parlamentare, pjesëmarrjen e shoqërisë civile në vendimmarrje, përmirësimin e ligjit për nëpunësin civil, të ndiqen rekomandimet e ODIHR për zgjedhjet etj. Ambasadori Salzman ka theksuar nëpërmjet rekomandimeve edhe ndalimin e ndërhyrjes ndaj medias, përmirësimin e legjislacionit për të, si dhe transparencë mbi pronësinë e këtyre mediave./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego