Presidenti francez Emanuel Macron është i drejtpërdrejtë me qeverinë e Kosovës duke deklaruar se lëvizjet e saj të njëanshme nuk janë një sinjal i mirë. Në krah të presidentit serb Aleksandër Vuçiç që e priti me nderime ne Beograd, Macron tha se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Çështja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje.Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë.
Në prani të Macron dhe Vuçiç u firmos marrëveshjea sipas së cilës Serbia merr 12 avionë të rinj luftarakë Rafale për 2.7 miliardë euro. Vuçiç tha se avionët nuk do përdoren për të hapur probleme.
“Ne nuk po shkaktojmë probleme askund, as nuk planifikojmë ta bëjmë këtë, as nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë. Ky është një sinjal i madh besimi midis Francës dhe Serbisë”.
I pyetur nëse kjo është një joshje për ta shkëputur Serbinë nga aleanca me Rusinë, Vuçiç thotë se vendimet e tij janë të qarta.
“E di që Emanuel do të donte që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë, por nuk më vjen turp për vendimin tim. Unë ua shpjegoj lëvizjet e mia njerëzve të mi”.
“Sot, me praninë time, dëshiroj të dërgoj edhe një herë një mesazh miqësie nga Franca në Serbi dhe të deklaroj në mënyrën më vendimtare se vendi juaj ka një vend në Evropë, në Bashkimin Evropian”, tha Macron.
Shtypi francez e ka parë me dyshim shitjen e avionëve ushtarakë tek Serbia pasi teknologjia e tyre mund të binte në dorë të Rusisë.
Tv Klan