Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kryeministri Pandeli Majko është rikthyer në Tiranë nga SHBA me një tjetër sukses, nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me qeverinë amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet edhe nga Kongresi Amerikan. Kërkesa shqiptare për organizimin në këtë organizatë zë fill në vitin 1992, por bisedimet janë ndërprerë për shkak të krizës ekonomike e politike të periudhës 1996-1997.
Miratimi përfundimtar i anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë pritet të bëhet në muajin Nëntor, në Siatell të SHBA. Pas kësaj rriten premisat për pranimin e shpejtë në Bashkimin Europian, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Një pjesë e delegacionit që e shoqëronte kryeministrin Majko në SHBA, gjatë takimeve në FMN, Bankën Botërore, Shtëpinë e Bardhë dhe në FBI, minitrat Poçi, Angjeli, Meksi dhe kryepolici i Elbasanit Edmond Koseni, rikthehen pas dy ditësh.
Në Aeroportin e Rinasit kryeministri Majko u prit nga Zëvendës kryeministri Meta, Ministri i Informacionit Ulqini, Sekretari i Shtetit Lakrori, Zv/ministri i Pushtetit Lokal Taulant Dedja, deputeti Braçe dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë Zhozef Limpreht./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame