Shqipëria është drejt fundit të rrugës së gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka, në aktivitetin e Bankës Qëndrore për sistemin bankar në rrugën drejt BE.
Në fjalën e saj në këtë aktivitet, Dhuka u shpreh se janë miljet e fundit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në familjen europiane.
Duke theksuar edhe rolin e Bankës së Shqipërisë në këtë aspekt, Dhuka theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka aplikuar për t’u bërë pjesë e zonës së pagesave në Euro, SEPA.
“Roli ynë është ai i “gjuetarit të mundësive”. Ne duhet të krijojmë mundësi dhe përfitime praktike, reale, për qytetarët dhe bizneset tona. Ky është rasti me SEPA, zonën unike të pagesave në Euro, përfitimet e të cilës drejtpërdrejt për qytetarët dhe bizneset janë domethënëse. Këtu nuk është fjala vetëm se Banka e Shqipërisë ka bërë një punë shumë të mirë, këtu është fjala dhe sepse sistemi bankar është gjerësisht i përgatitur për t’u bërë pjesë e zonës së pagesave Euro. Të bërurit anëtar i familjes europiane është një rrugëtim sfidash dhe mundësish. Ne të gjithë ndajmë besimin e përgjithshëm që jemi në miljet e fundit për të mbushur kriteret për t’u bërë anëtar në Bashkimin Europian. Shqipëria sot ka nevojë për energjinë tuaj”, tha ndër të tjera kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
/tvklan.al