Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kompensim me para në dorë për të përndjekurit politikë mbi 65 vjeç, si dhe rritje e fondit për sistemin e asistencës për kategoritë e tjera. Ky është propozimi i ri i Ministrit të Financave Arben Malaj. Sipas tij, fondet financiare për skemën e re të asistimit të të përndjekurve politikë, do të tërhiqen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Arben Malaj: “Për të arritur konsensus, për të ndihmuar konsensusin kemi dy mundësi të reja që po ofrojmë. Të rishikohet minimumi dhe e dyta, për moshën mbi 65 vjeç dhe mbi 20 vjet në burg, t’u japim një shpërblim të menjëhershëm në dorë”.

Malaj kërkon konsensusin e të përndjekurve politikë për këtë propozim të ri, si dhe bashkëpunim për shifrat e të përndjekurve. Këto të dhëna do të përcaktojnë edhe shkallën e kompensimit në KESH për kategorinë e veçantë. Komisioni parlamentar i ekonomisë ka propozuar rritje me 50% të fondit në dispozicion të të përndjekurve.

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar draftin parlamentar për kompensimin në bazë të kodit penal për ditë burgu, për shkak se një nismë e tillë kalon kompetencat e parlamentit dhe i përket ta shqyrtojë gjykata. Ministri i Financave argumentojë se skema sipas kodit penal është financiarisht tepër e lartë, pasi arrin deri në 130 miliard lekë. Skema e re e të përndjekurve politikë do të shqyrtohet nesër në parlament./tvklan.al