Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi këtë të hënë gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se qeveria ka disa skenarë për pandeminë dhe se është e përgatitur për të pasur deri në 1600 të shtruar. Është ky totali i shtretërve për të sëmurët me Covid duke përfshirë edhe spitalet rajonale.

Mannastirliu u shpreh se 4 strukturat e dedikuara për Covid kanë 550 shtretër. Ndërkohë sipas saj edhe po të hapen spitalet publike për të shtruarit me koronavirus, do të vijojnë edhe trajtimet për pacientët me sëmundjet e tjera.

“Ka disa skenarë se ne jemi përgatitur për të pasur edhe 1600 të shtruar në totalin e kapaciteteve që kemi duke përfshirë edhe spitalet rajonale”, tha Manastirliu.

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse ka radhë në QSUT për ata që duan të trajtohen për koronavirus, ministrja tha se janë shtuar spitalet Covid, në këtë mënyrë edhe fluksi. Megjithatë ajo tha se asnjë qytetar nuk ka mbetur pa shërbim.

“Asnjë qytetar nuk ka mbetur pa marrë shërbim. Të jesh në autoambulancë është njësoj si të jesh në minispital sepse autoambulanca ka bombolën e oksigjenit”, tha ministrja.

Sa i përket mjekëve, ministrja tha se “Kemi reanimatorë për të përballur edhe hapjen e spitaleve rajonale”. /tvklan.al