Xavi Hernandez është emri i fundit që po diskutohet te Mançester United për të marrë drejtimin e ekipit, nëse trajneri Erik ten Hag shkarkohet.
Sipas tabloidit “Daily Mail”, përfaqësuesit e klubit kanë zhvilluar bisedime me ikonën blaugrana dy herë në muajt e fundit.
Një delegacion prej katër anëtarësh i kryesuar nga shefi ekzekutiv Omar Berrada fluturoi për në Barcelonë më 17 Tetor.
Nëse Ten Hag shkarkohet, vendin e tij do ta zerë përkohësish ndihmësi Ruud van Nistelrooy. Por për një projekt afatgjatë, Xavi shikohet si njeriu i përshtatshëm. Vetë katalanasit e kanë bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë trajner sërish për një ekip të La Liga-s.
Në Angli raportojnë se momentalisht, holandezi ka mbështetjen e drejtuesve, por presioni mbi të është rritur.
Testi i radhës i “Djajve të kuq” është kundër Fenerbahces në Ligën e Evropës më 24 Tetor. Nisja ka qenë e vështirë për United në këtë sezon për shkak të rezultateve jo të mira.
Përveç Xavi, trajneri i Sporting Lisbonës, Ruben Amorim dhe ish-trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic janë altenativa për të marrë drejtimin e “Djajve të kuq”.
Por Amorim po ndiqet edhe nga Mançester Siti, që e shikon atë si zëvendësuesin ideal te Pep Guardiolës kontrata e të cilit përfundon në verën e ardhshme.
Klan News