Këshilli i Mandateve u mblodh ditën e sotme për të diskutuar mbi mocionin ndaj deputetit socialist Vullnet Sinaj. Por nisja shënoi debate mes tij dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Mes të dyve nuk munguan tonet e larta dhe akuzat.
Gazment Bardhi: Unë ditën i nderuar që do fus duart në buxhetin e shtetit dhe në pasurinë publike absolutisht do të duhet të jem i akuzuar, do duhet të më bëhet gjyq publik, do duhet të shkoj në burg, pa asnjë diskutim, ditën që do t’i prek një qindarkë buxhetit të shtetit. Ditën që do t’i prek si ty një qindarkë buxhetit të shtetit të jesh i sigurt që do të jem i nderuar që të jem i akuzuar. Nuk marrim urdhra nga ty ne këtu se ne jemi anëtarë të Këshillit të Mandateve. Ti e merr fjalën sa herë ne ta japim, ndërsa ne flasim sa herë të na lejojë rregullorja e Kuvendit.
Vullnet Sinaj: Më tha jam i akuzuar, por nuk jam i akuzuar. Ka një mocion për mandatin tim, të padrejtë, por jo i akuzuar unë. Unë jam ai që akuzoj atë për këtë, që ka shkatërruar pronën e shtetit. Jam unë që e akuzoj atë. Jo unë i akuzuar. Është ai i akuzuar. Dhe nuk kam vjedhur unë. Unë bëj biznes të ndershëm. Sikur të bënin të gjithë biznes të ndershëm sikur bën biznesi im. Një njeri që nuk i ka thënë punës mirëmëngjes një ditë kështu do flasë. Nuk mund të të lejoj fare ty sepse ti ke gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe do vjellësh tërë jetën. Do ta tregojë historia punën tënde.
Gazment Bardhi: Nuk e drejton ti mbledhjen, e drejton kryetarja. Nëse deputeti është këtu për të drejtuar mbledhje pa ja dhënë ju të drejtën. Unë i kam dhënë lekë buxhetit të shtetit për dëmin që kam shkaktuar. Ti ke futur duart në buxhetin e shtetit dhe nëse jemi këtu zotrote na thuaj edhe lejet e ndërtimit që ke marrë në Tiranë. Nëse je deputet shërbeji interesit të publikut. Ata që fusin duart në buxhetin e shtetit siç je ti do kesh gjithmonë gishtin e ngritur sepse ke shkelur Kushtetutën.
Vullnet Sinaj: Nuk kam marrë asnjë leje ndërtimi, e them publikisht. E vetmja leje ndërtimi ka qenë para se të bëhesha deputet për biznesin. Asnjë leje ndërtimi. Ti vazhdon akoma të gënjesh akoma. Vazhdon vesin sepse ty s’të le vesi i gënjeshtrës. Ti je shpifës. Ti je një gënjeshtar dhe një shpifës që nuk të lë vesi të gënjesh.
Partia Demokratike e akuzon deputetin e mazhorancës se ka përfituar fonde publike dhe për këtë arsye për mandatin e tij duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, Sinaj ka mohuar çdo akuzë./tvklan.al