Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, zhvilloi një konferencë për mediat këtë të mërkurë. Ai u pyet në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka dhe si do të veprojë mazhoranca pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Çuçi u shpreh se në lidhje me këtë çështje është krijuar një paqartësi. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka tentuar të krijojë një normë të re Kushtetuese. Kjo për faktin sepse, sipas Çuçit, gjykata nuk mund të vendosë se çfarë do të votojnë deputetët.

“Në rastin konkret është krijuar një paqartësi në lidhje me faktin nëse do duhet që një deputet apo të gjithë deputetët duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar jo nga vullneti që është deleguar nga zgjedhësit apo jo. Ky është një debat që nuk ka marrë dhe nuk ka gjetur trajtim as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përkundrazi Gjykata Kushtetuese në gjykimin tonë ka tentuar të krijojë një normë të re kushtetuese gjë e cila nuk ia lejon Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese nuk krijon norma të reja. Gjykata Kushtetuese verifikon normat ekzistuese janë apo jo në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh ai.

Sipas kreut të grupit të PS, Kushtetuta njeh pavarësinë e deputetit për të votuar në një formë që ai e gjykon.

“Madje Kushtetuta thotë që deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij. Është neni 73”, tha ai.

Pasi përmendi vetëm dy raste ku sipas tij deputetëve i imponohet që të votojnë në një mënyrë të caktuar, Çuçi tha se zgjidhja për këtë ngërç është një opinion i Komisionit të Venecias.

“Në asnjë rast nuk mund të imponosh deputetin mënyrën si të votojë. Ky është qëndrimi jonë. Le të vijmë tek Gjykata Kushtetuese. Nëse ka një debat për këtë, a është e drejtë kjo që them unë dhe citimi që i bëj drejtpërdrejt Kushtetutës apo jo, ne kemi vendosur që ta zgjidhim këtë ngërç të krijuar me Gjykatën Kushtetuese që t’i kërkojmë një interpretim ose opinion Komisionit të Venecias duke i thënë që nëse mundet një institucion tjetër joparlamentar, qoftë kjo gjykatë Kushtetuese të imponojë vullnetin e një deputeti në mënyrën si duhet të votojë apo jo? Besoj që është një debat kushtetues që duhet të marrim një interpretim”, tha ai.

Çuçi theksoi se vetë Gjykata Kushtetuese pavarësisht se ka 9 anëtarë ka dalë në 3 mendime të ndryshme. Më tej ai shtoi se gjykata pati hapësirën për ta adresuar çështjen e mandatit dhe në fund mori vendim pushimi. Prandaj përgjigja e tij ishte kjo.

“Ne duhet të marrim një opinion sepse ka një konflikt kushtetues në këtë pikë. Mua si deputet, Kushtetuta më thotë je i pavarur për të votuar sepse të ka deleguar sovranitetin njerëzit. Më kanë votuar rreth 14 mijë zgjedhës dhe unë jam i pavarur në votën time. Jo vetëm i pavarur, por nuk mbaj as përgjegjësi për votën që bëj. A duhet të imponohem unë nga një pjesë e Gjykatës Kushtetuese sepse janë 3 pjesë të Gjykatës Kushetuese që kanë mendje të ndryshme për këtë çështje”, tha Çuçi.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Shqipërisë që t’i dërgojë me urgjencë mocionin e paraqitur nga opozita për shqyrtimin e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Sipas kryetares së “Kushtetueses”, Holta Zaçaj “asnjë organ nuk ka të drejtë të vërë në diskutim apo të mos zbatojë vendimet që merr Gjykata Kushtetuese”.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë vendosi më 11 Prill 2024 që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj./tvklan.al