Socialistët dhe demokratët nuk kanë qenë në një mendje për mënyrën sesi duhet të procedojnë me mandatin e deputetit Vullnet Sinaj.
Të parët mendojnë nisur nga rasti Xhaçka që ka një paqartësi kushtetuese, ndaj duhet të presin opinionin e Venecias përpara se t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim nëse deputeti socialist është në kushtet e konstatimit të pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit.
Bledi Çuçi, deputet i PS-së: Ne kemi një lloj konflikti, kjo ka prekur një nerv sensitiv të trupit të korpusit ligjor kushtetues prandaj dhe ne kërkojmë opinionin e Venecias për këtë gjë.
Ndërsa për demokratët kushtetuta është mëse e qartë.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së: Përpjekja e kushtetutëbërësve ka qenë për të mbrojtur Parlamentin krejtësisht nga çdo lloj konflikti interesi, përpjekja jonë është të zbatojmë këtë që kemi nëpër duar.
Mosdakortësia do të çojë drejt hartimit të dy raporteve të ndryshme që do t’i paraqiten Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve në mbledhjen e ardhshme.
Gazmend Bardhi, deputet i PD-së: Do të shkojmë me dy raporte. Nuk mund të presim opinionin e Komisionit të Venecias sepse sipas rregullores së Kuvendit ne kemi detyrimit për t’ja përcjellë menjëherë seancës plenare.
Mbledhja që zgjati 3 orë u shoqërua me debate të forta mes deputetit Sinaj dhe demokratit Gazment Bardhi.
Tv Klan