Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni janë të interesuar që Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare bashkërisht të jenë pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni që do të themelohet pas zgjedhjeve parlamentare të 1 qershorit, njoftojnë për Klan burimet diplomatike në Shkup.
Marrim vesh se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni Xhilian Milovanoviç dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Nervan Fuere në takimet e realizuar të premten kanë prekur pulsin e liderëve të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të PDSH-së Menduh Thaçi rreth idesë për participim, për përbashkët të dy partive shqiptare në koalicion qeveritar.
Burimet e njëjta diplomatike thonë se as Ahmeti as Thaçi nuk janë shprehur të mahnitur nga kjo ide, mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje të prerë negative. Përfaqësuesit ndërkombëtarë vlerësojnë se pjesëmarrja e dy partive më të mëdha shqiptare në koalicionin qeveritar do të shërbejë për ulje të tensioneve dhe antagonizmave ndër dy blloqet politike shqiptare.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al