Qeveria e Maqedonisë të martën ka sjellë vendim që ta ngrijë nivelin e zyrës së saj për komunikimin në Prishtinë në nivel të ambasadës.

Burimet qeveritare po ashtu kanë njoftuar se ambasadori i Maqedonisë në Kosovë së paku edhe tre muajt e ardhshëm mbetet shefi i deritanishëm mes zyrës Maqedonase në Prishtinë, Sotjan Karajanov.

“Nga dita e sotme kemi ambasadë në Prishtinë, në Republikën e Kosovës dhe qeveria gjithashtu ka iniciuar edhe procedurën për emërimin e ambasadorit.”

Vendimi për hapje të ambasadës është sjellë vetëm disa ditë pasi në Maqedoni qëndroi ministri kosovar i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni.

Edhe pse Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshovksi, pas takimit me Hysenin paralajmëroi se procedura e hapjes së ambasadës në Prishtinë do të zgjasë 3 muaj, marrim vesh se me insistim të BDI kjo procedurë është përshpejtuar.

Autoritetet në Maqedoni tani presin që edhe Kosova të hapë sa më shpejt ambasadën e saj në Shkup për të përshpejtuar procedurat e nënshkrimit të shumë marrëveshjeve të përgatitura tani një kohë të gjatë.

“Të nënshkruhen edhe marrëveshjet e përgatitura, të avancojnë marrëdhëniet e mira politike dhe diplomatike mes dy vendeve tona.”

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës paralajmërojnë se hapja e ambasadës në Shkup do të presë edhe një muaj.

Zv/ministrja Vlora Çitaku për Tv Klan ka deklaruar se brenda një muaji pritet të mbyllet konkursi për ambasador kosovar në Maqedoni, e pastaj shumë shpejt do të sillet edhe vendimi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Shkup.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu