Në Sarandën e mijëra turistëve maratona e këngës popullore qytetare u duartrokit përreth tre orë.
Në skenën e ngritur buzë detit mijëra vetë ndoqën interpretimin e këngëve hit të verës prej emrave më të kërkuar.
Në ndalesën e Sarandës kureshtje të madhe për këtë eveniment të sjellë nga TV Klan dhe grupi promotor treguan turistët e shumtë të ardhur nga çdo cep i botës, por vëmendje spektaklit muzikor i kushtuan edhe sarandjotët apo pushuesit nga qytete të ndryshme të vendit.
Për të përshëndetur ishte një prej zërave më të bukur të këtij qyteti, Irini Qirjako.
Irini Qirjako: “Është një mësim për të gjitha televizionet shqiptare ku ta dinë që kënga popullore shqiptare është e përjetshme, është e pavdekshme.”
Për mikpritësin e maratonës së këngës popullore qytetare, kryetarin e bashkisë, Edmond Gjoka, ky event duhet të kthehet në një traditë të përvitshme.
Edmond Gjoka: “Koncerti që u hap ishte do të thosha i mrekullueshëm, ishte le të themi një pasuri kombëtare. Ju falënderoj juve organizatorët që e sollët këtë koncert dhe e ideuat”.
Maratona e këngës ndalesën e radhës do ta ketë në qytetin e Lezhës në mes të muajit Gusht./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini