Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Maratona e Popujve, e cila do të zhvillohet në datën 19 Tetor në Tiranë, ka mbledhur në një konferencë për shtyp, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës shqiptare, rajonit të Puglias, Lazios dhe Parmës, si dhe përfaqësues të televizionit italian RAI. Aktiviteti i madh sportiv dhe kulturor, organizohet në kuadër të festimeve me rastin e ditës së lumturimit të Nënë Terezës.

Maratona do të prekë disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, si bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin Gjergj Fishta”. Në të do të marrin pjesë rreth 350 atletë të huaj, si dhe një numër i konsiderueshëm atletësh shqiptarë, në saj të koordinimit të punës me Federatën Shqiptare të Atletikës.

Tepër e rëndësishme është cilësuar nga koordinatori i kësaj maratone Giani Adele, transmetimi i saj i drejtpërdrejtë në televizionin RAI, nëpërmjet bashkëpunimit me TV Klan.

“Dua të falenderojë në mënyrë të veçantë TV Klan, pasi po bën një punë mjaft të mirë për këtë transmetim ndërkombëtar, i pari i këtij lloji nga Shqipëria. Kujtoj këtu, se jo vetëm Italia por edhe e gjithë bota do të ketë mundësi ta ndjek një pjesë të konsiderueshme të kësaj maratone, nëpërmjet transmetimit në Eurovizion, prandaj ky është një eveniment historik, i një rëndësie shumë të madhe për këtë vend të vogël”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora