Kosova dhe Turqia po përgatitet që të nënshkruajë një marrëveshje në fushën e sigurisë. Kryediplomati turk Fidan në takimin me homologen Gërvalla tha se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen në trajnime, por edhe në ofrimin e pajisjeve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Mediat turke shkruajnë se qeveria kosovare do të vijojë të blejë krahas dronëve Bayraktar, edhe sisteme të mbrojtjes ajrore për 30 milionë euro.
Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë: Ne e mbështesim Kosovën me vetëdije të qëndrueshme. Në këtë kontekst është edhe siguria. Ne si Turqi duhet të jemi të gatshëm t`ju ndihmojmë për të gjitha aspektet e sigurisë. Për ne s’ka gjë më normale sesa t`ju mbështesim sepse kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por janë vëllezërit dhe motrat tona.
Jemi duke adresuar çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjate, me dëshirën që dialogu mes nesh të vendoset në një kuadër institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Turqisë dhe Kosovës do të jetë hap i parë i këtij bashkëpunimi.
Fidan kërkoi nga qeveria Kurti masa për gylenistët që strehohen në këtë shtet.
Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë: Folëm edhe për luftën kundër terrorizmit, për hapat konkrete që duhet të ndërmerren kundër organizatës FETO. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë.
Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.
Ndërkaq, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, tha se
kërcënimet për bllokimin të pikave kufitare janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste të Serbisë .
Donika Gërvalla, ministre për Punët e Jashtme: Sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata të jenë të çliruar nga ndikimi i bandave kriminale në veri, tentojnë t;i kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë, pjesë e institucioneve pra të integrohen në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga normalizimi i ashtuquajtur, i synuar në Bruksel.
Gërvalla komentoi edhe tërheqjen e Serbisë nga kushtet për marrëveshjen e Ohrit duke kërkuar njohjen e shtetit të saj nga Beogradi.
Klan News