Pak ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes me Italinë për emigrantët, në Gjadër, aty ku dhe do të ngrihet kampi i qëndrimit të tyre, çdo gjë është gati për të nisur punimet. Prej disa ditësh makineritë janë stacionuar brenda zonës ushtarake në hyrje të fshatit, ku do ndërtohet kampi i pritjes së refugjatëve të paligjshëm, të shpëtuar nga autoritetet italiane në det.
“Banorët e kësaj zone janë ende të paqartë nëse do të preken godinat ekzistuese apo jo dhe se siguria e tyre do të jetë në nivele maksimale”, raporton gazetari i Tv Klan, Martin Marku.
Sipas marrëveshjes të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, qeveria italiane do të ndërtojë tre qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri të cilat kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojë rreth 36 mijë persona në vit.
Pak ditë më parë, Ministria e Brendshme e Italisë zhvilloi edhe tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të ngrihen në Shqipëri. Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.
Pas zbarkimit që do bëhet në Shëngjin, emigrantët do të spostohen në dy strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër. I gjithë perimetri do të rrethohet nga një mur afro 7 metra i lartë që do të shërbejë për të rritur sigurinë, pasi fare pranë kampit ndodhen edhe banesat e fshatit Gjadër dhe Kakarriq. Kontrata për menaxhimin e këtyre qendrave do të ketë një vlerë prej 34 miliona eurosh. Ndërkohë që synimi i qeverisë italiane është që këto objekte të hapen deri më 20 maj të këtij viti.
Tv Klan