Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën se kur do të mbajë seancën e parë për kërkesën e bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha për masën e parë të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për t’u paraqitur” të caktuar nga GJKKO më 20 Tetor 2023.
Kështu, seanca e parë në Kushtetuese do të jetë më datë 19 Nëntor 2024.
Sali Berisha ka kërkuar shfuqizimin e masës “detyrim paraqitje” që u vendos fillimisht ndaj tij, të cilën e konsideron si antikushtetuese.
Padia e bërë në Kushtetuese nga Sali Berisha u pranua disa ditë më parë nga kjo trupë.
Argument kryesor në padinë e Sali Berishës është fakti që Gjykata e Posaçme dhe SPAK nuk morën më parë autorizimin e këshillit të mandateve për heqjen e imunitetit të Berishës.
Kujtojmë se aktualisht Sali Berisha është me masë sigurie arrest në shtëpi që prej Dhjetorit 2023, pasi refuzoi të zbatonte detyrimin e paraqitjes. Kryetari i PD, së fundmi është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë në lidhje me hetimet e dosjes së ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
/tvklan.al