Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dorian Stafa dhe Besnik Keta nuk kanë pranuar akuzën për vrasje me paramendim të Taulant Muçës në Korrik të 98. Të dy personat e akuzuar janë pyetur pas arrestimit nga oficeri gjyqësor, ku kanë mohuar krimin dhe e njëjta gjë është mohuar nga avokati në Gjykatën e Faktit, ku është vendosur masa e sigurisë.

Arrestimi i të dyve për një krim të kryer 5 vjet më parë në rrugën “Bardhyl” është bërë pas zbardhjes së faktit, se në armën e krimit janë gjetur gjurmët e gishtave të dy personave. Vrasja e Taulant Muçës ishte vrasja e dytë për familjen e tij pas ekzekutimit të vëllait Gazment Muçës në 93.

I njohur si një nga të fortët e rrugës “Bardhyl”, ekzekutimi i tij në vitin 93, bënte pjesë në një cikël vrasjesh në Tiranë, ku lakohen emra të personave, disa prej tyre tashmë të vrarë apo të burgosur brenda dhe jashtë vendit. Akuza ndaj dy të arrestuarve nga policia është vrasje me paramendim dhe ka lidhje dhe me vrasjen e Gazmend Muçës në 93. Ndërsa Gjykata e Faktit ka caktuar masën e sigurisë, arrest me burg për dy të akuzuarit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj