Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky është burgu 302 në Tiranë. Prej disa ditësh këtu, masat e sigurisë nga gardianët janë shumëfishuar. Një ditë me ardhjen e drejtorit të ri të burgut, në qelitë e tij është sistemuar dhe një nga personazhet më VIP të ngjarjeve në Tropojë, Jaho Salihi Mulosmani. Makina e blinduar dhe dhjetëra forca të briskut e shoqërojnë Mulosmanin, sa herë në gjykatën e Tiranës zhvillohet gjyqi Hajdari, ku ai është edhe i dyshuari kryesor.  

Frika për ndonjë atentat të mundshëm, ndaj atij që pritet të zbardh jo vetëm vrasjen Hajdari por dhe vrasjet e tjera zinxhir pas saj, ka preokupuar krerët e policisë dhe të burgjeve për të izoluar atë në një qeli të sigurt. Por dhe në këtë repart të sigurisë së lartë nuk kanë munguar incidentet. Kështu Dhjetorin e kaluar Eduard Ymeri, i njohur me emrin kartela, plagos me thikë një të burgosur tjetër.

Në katin e tretë ku ndodhet dhe qelia e Mulosmanit, janë izoluar dhe dy tropojanë të tjerë. Dëshmitari i çështjes Hajdari Petrit Çakrri, si dhe Filip Geci, një tjetër tropojan i akuzuar për vrasjen e një kushëriri të Jahos. Të tre shumë pranë njëri-tjetrit, por të ruajtur maksimalisht nga gardianët e burgut 302./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj