Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Masa të forta sigurie kanë paraprirë e më pas kanë shoqëruar mitingun. Që në orët e para të ditës, në hyrje të Tiranës dhe në autostradë ka pasur kontrolle të mjeteve dhe pasagjerëve në qarkullim. Agjentë të policisë kanë shënuar targa të mjeteve të dyshimta, si dhe janë shënuar mjaft persona të paidentifikuar.

Në disa momente, kontrollet dhe veprimet e policisë në hyrje të Tiranës janë monitoruar dhe nga deputet demokratë. Një pjesë e njerëzve kanë lënë mjetet në afërsi të Laprakës, duke përshkruar në këmbë rrugën deri në qendër. Kjo situatë kaotike ka vijuar deri afër mesditës, kur hyrja për në Tiranë është bllokuar në Laprakë dhe forcat policore nuk kanë lënë asnjë makinë të qarkullojë, duke penguar dhe qytetarët që vinin drejt kryeqytetit, për arsye nga më të ndryshmet.

Mitingu ka bllokuar dhe transportin urban, ndërsa gjatë zhvillimit të protestës forca të shumta policore, ishin vendosur pranë godinës së kryeministrisë. Një mur i tërë forcash të shërbimit të rendit ishte barrikada e parë e parë polcore, ndërsa brenda rrethimit qëndronin mjaft forca speciale dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisur me antiplumb, shkopinj gome dhe skafandra.

Brenda rrethimit të kryeministrisë kanë drejtuar masat e sigurisë dhe eprorë të lartë të policisë së shtetit dhe drejtorisë së Tiranës. Në gjendje të gatshme kanë qëndruar efektivët blu dhe pranë Presidencës, por objekti më i mbrojtur ka qenë Kryeministria. Efektivët e gardës kanë qëndruar në brendësi të objekteve, ose në lartësitë e godinave duke mbikëqyrur situatën.

Pas largimit të protestuesve nga bulevardi, forcat blu kanë qëndruar në gatishmëri, deri në marrjen e një urdhri për largimin nga objektet ku duhet të siguronin. Për mitingun e sotëm ishte përgatitur një plan i veçantë masash, ku kërkohej një gjendje gatishmërie për rreth 2500 efektivë.

Ministri i Rendit Igli Toska, nëpërmjet një deklarate të bërë nga zëdhënësi i tij ka falënderuar sot policinë e shtetit për menaxhimin e mirë dhe organizatorët e protestat që iu përgjigjën thirrjes së policisë për bashkëpunim.

Florion Seriani:- “Ministri i Rendit Publik, zoti Igli Toska, falënderon të gjitha strukturat e policisë së shtetit, qendrore e vendore. Në këtë aspekt, kreu i rendit vlerëson sjelljen e organizatorëve të tubimit, të cilët iu përgjigjën ftesës së policisë së shtetit, për të bashkëpunuar në mbarëvajtjen e këtij tubimi. Profesionalizmi i shfaqur sot nga shërbimet policore, dëshmon se ky institucion po përmirësohet dhe konsolidohet dhe standardet e tij gjithnjë e më shumë po i afrohen atyre të BE-së”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj