Rreth 45,000 policë do të sigurojnë ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit më 26 Korrik ku pritet të marrin pjesë rreth 300,000 spektatorë dhe mbi 100 krerë shtetesh dhe qeverish. Me ceremoninë e hapjes të mbajtur për herë të parë jashtë një stadiumi, rreth 80 varka do të transportojnë atletë nga e gjithë bota në një rrugëtim prej gjashtë kilometrash përgjatë lumit Seine drejt Kullës Eifel.
Ceremonia në ambient të hapur ka sjellë masa të larta sigurie dhe më shumë impenjim për autoritetet. Planet e sigurisë janë shumë dinamike. Në një event të tillë merren parasysh ngjarjet e fundit dhe bëhen përshtatjet e nevojshme. Kjo ka bërë që të analizohet vazhdimisht situata me luftën në zhvillim në Gaza dhe Ukrainë, si dhe atentati ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Organizatorët e Olimpiadës janë në kontakt të ngushtë me autoritetet e sigurisë jashtë Francës. Mbi 100 persona do të punojnë në selinë e sigurisë së Lojërave gjatë gjithë kohës për të monitoruar dhe koordinuar veprimet në terren në shmangjen e çdo akti dhune që mund të cënojë jetën e sportistëve dhe të spektatorëve.
Tv Klan