Masakër në një lokal në qendër të qytetit të Laçit. Dy persona pasi kanë ndaluar në afërsi të një lokali me makinën e tyre, kanë zbritur e më pas kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi 8 persona që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Për pasojë një ka vdekur dhe 7 të tjerë janë plagosur rëndë, 4 nga të cilët në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur në orë 15 e 30 në një lokal përballë Spitalit të Laçit. Gj. M. është autori i krimit që, sipas policisë, ka qëlluar mbi personat që ishin duke pirë.
Sipas Policisë së Kurbinit, Gj. M., një orë përpara se të ndodhte krimi, ka qenë në lokal duke luajtur domino me personat e vrarë dhe të plagosur. Më pas është ktheyr vet i dytë me një kallash në dorë dhe ka qëlluar mbi personat që ishin në tavolinë me breshëri automatike. Për pasojë ka vdekur në vend personi L. S. nga Laçi, ndërsa janë plagosur A. B., A. T., S.,T., K. T., B. L., S. T. dhe pronari i lokalit M. T.
Burime të policisë bëjnë të ditur që në momentin që Gj. M. ka qëlluar me automatik i është bllokuar arma e ka përplasur në tokë duke nxjerrë më pas pistoletën. Kalimtarët e rastit u kanë dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurve duke i dërguar në spital. Në momentin e vrasjes së Lekë Sutit ka qenë i pranishëm edhe i biri, G. S. i cili nuk e ka mbajtur dot veten nga dhembja për të atin dhe ka goditur me kokë xhamin e makinës duke shkaktuar një plagë të madhe në kokë.
Policia ka vendosur gjithashtu postblloqe në të gjithë nyjet kryesore të rrugëve, por pa mundur dot të gjejë dhe të arrestojë personin. Gj. M. është rreth 35-vjeç, ai ka punuar vazhdimisht si shofer i drejtuesve të Bashkisë Laç. Aktualisht punon si shofer i zëvendëskryetarit të bashkisë. Njihej si një njeri tepër normal dhe pa probleme. /tvklan.al